Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi nga Elbasani se zgjedhjet e 30 qershorit do mbahen. Ai shtoi se zhvillimi i një procesi normal zgjedhor brenda afatit kushtetues është një betejë që Partia Socialiste do ta fitojë.

Deputeti socialist u shpreh se askush nuk mund të ndalojë qoftë edhe një zgjedhës të votojë ndryshe do përballet me burg.

"Në Shqipëri ka marrë fund, një herë e përgjithmonë, historia se mund të marrësh pushtet në tavolinë, apo mund të marrësh pushtet me forcë. Lulzim Basha e di fare mirë këtë, padroni i vet politik, Sali Berisha e di fare mirë këtë. Beteja jonë për të zhvilluar një proces normal zgjedhor brenda afatit kushtetues, 30 Qershor, është një betejë që ne do ta fitojmë. Do ta fitojmë, sepse vetëm keshtu mund të bindet çdo banor i Shqipërisë që rregullat zbatohen njësoj. Të gjithë jemi këtu për një ditë të vetme, 30 Qershorin, dhe harrojeni që mund të dalë dikush të pengojë, qoftë edhe një zgjedhës të vetëm në 30 Qershor. I kemi shkruar bashkë me PD nenet e kodit penal. Neni 325 e thotë shumë qartë, kush pengon një subjekt zgjedhor të zhvillojë fushatë, dënohet. Neni 330, e drejta e zgjedhjes, kush pengon një zgjedhës të vetëm të shkojë të votojë dënohet nga 2 deri në 5 vjet burg, kur kryhet në bashkëpunim."