Nga Vlora ku denoncoi situatën e rëndë të rendit dhe sigurisë në këtë qark, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se vetëm në 12 muajt e fundit ky qytet është përballur me një bilanc lufte që i atribohet përplasjes së klaneve kriminale.

Teksa iu referua statistikave, kreu i opozitës tha se vetëm persona të zhdukur janë 18, trefish më shumë se në çdo qark tjetër. Sipas Bashës, kjo situatë vjen për arsyen se Rama ia besoi Vlorën fillimisht Saimir Tahirit dhe më pas Fatmir Xhafaj.

"Këtu në Vlorë vetëm në 12 muajt e fundit ka një bilanc lufte i cili i atribuohet drejtëpërdrejtë klaneve kriminale Habilaj, Xhafaj dhe kriminelëve të tjerë që kanë kthyer Vlorën në çifligun e tyre ku dhunojnë, vrasin , bëjnë  presion e ushtrojnë terror mbi qytetarët pa u hyrë gjëmb në këmbë nga policia e bërë njësh me kriminelët. Prishja e pazareve të drogës, përplasja midis banditëve kanë shkaktuar 6 të vdekur dhe 11 të plagosur, mes tyre dhe një fëmijë 8 vjeçar. 5 makina janë djegur apo hedhur në erë.Sipas të dhënave që mbahen sekret nga policia e korruptuar e Fatmir Xhafës 18 persona janë zhdukur pa lënë gjurmë, 3 fish i personave të zhdukur në çdo qark tjetër të marrë së bashku në gjithë territorin e Shqipërisë. Ky bilanc kriminal është kaq i rënduar në Vlorë për dy arsye. Edi Rama, kryedeputet i Vlorës ia dorëzoi kontrollin e këtij qyteti dhe këtij qarku Saimir Tahirit dhe më pas Fatmir Xhafaj.Po të gjithë e dimë se nëse i pari e bënte drogën me kushërinj, i dyti e bën me vëllain e tij. I dyti nuk mjaftohet me drogën, u ka dhënë  mundësinë bashkë të dënuarve të vëllait të tij të kapin dhe zotërojnë 1/3 e lojërave të fatit anembanë Shqipërisë, industrinë e bixhozit me anë të cilës pastrohen paratë e pista të krimit. Ekonomia e Vlorës është në kolaps, papunësia në nivel rekord."