Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ndodhet në Luksenburg ku mori pjesë në një mëngjes pune së bashku me Ministrat e Jashtëm nga radhët e Partisë së Socialistëve Evropianë të vendeve anëtare të BE-së, ku pati rastin të shpalosë edhe një herë progresin e Shqipërisë për çeljen e negociatave. 

Mësohet se në këtë takim të shkurtër u diskutua për vendimin për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të gjithë Ministrat e pranishëm, rikonfirmuan edhe një herë mbështetjen për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në këtë proces.

Ministri i jashtëm Gjerman, njëherësh kryesues i takimit, shprehu serish përpjekjet e tij për të arritur një konsensus në takimin e sotëm të Këshillit të Ministrave për një "PO" të qartë mbi çeljen e negociatave për të dy vendet. Cakaj do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në Luksemburg.