Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi shoqëruar edhe nga pjesëtarë të tjerë të partisë së tij janë takuar me kreun e Lëvizjes Vetvendosja në Kosovë, Albin Kurtin.

Idrizi shprehu vlerësimin e tij për aktivitetin e VV në shërbim të çështjes kombëtare dhe për qëndresën e Albin Kurtit. 

“Këto zgjedhje kanë turbulluar dhe ujrat e ndenjura të kënetës së politikës shqiptare dhe shpresoj që pranvera e Kosovës të vijë dhe në Shqipëri” – tha Idrizi.

Gjatë takimit u diskutua lidhur me nevojën për të përafruar sistemin arsimor e për të krijuar një model ekonomik që nuk ka barriera artificiale si ato që janë sot. 

Lidhur me krijimin e të ashtuquajturit Schengen Ballkanik, Idrizi e vlerësoi si “një hap jo të nevojshëm që rikthen nocione të vjetra politike si ajo e ish-konfederatës Jugosllave dhe theksoi se në Shqipëri është e nevojshme të shohim marrëdhëniet me Serbinë duke mbajtur gjithmonë parasysh interesin e Kosovës. Objektivi ynë kryesor është të integrohemi në Europë e jo të kërkojmë artifice që nuk ndihmojnë as Kosovën e as Shqipërinë”.