Kreu i opozitës, Lulzim Basha është zyrtarisht nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës për çështjen e kontratës së lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prokuroria njofton se ka përfunduar hetimet për kontratën 675 mijë dollarë me kompaninë Biniata Trade. Basha akuzohet për “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, ndërkohë që akuza për “pastrim parash” ka rënë. Të njëjtat akuza si për Bashën, Prokuroria e Tiranës i ka ngritur edhe ndaj Arben Ristanit e Ilir Dervishit.

Shkresa zyrtare raportohet se është dërguar në selinë blu. Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin zhvillimet më tej me këtë cështje. Thelbësore në këtë proces është dëshmia e lobistit, Nikola Muzin, të cilën nuk dihet ende nëse prokuroria shqiptare do të arrijë ta sigurojë.