Prej disa ditësh kryeministri Rama ka nisur një fushatë kundër shpifjeve, që kulmoi me publikimin nga AKEP të një liste të portaleve që janë të paregjistruar në QKB, ku mediave iu kërkohet që të deklarojnë NIPT dhe numrin e personave të punësuar brenda 72 orësh.

Po ç’ndodh brenda vetë portaleve dhe mediave qeveritare? Kush i paguan gazetarët e televizionit të Ramës, ERTV-së së famshme, që i shohim çdo ditë në ekran me ‘veprat’ e tyre?

Për shembull sa paguhet gazetari Alteo Hysi, i cili kujdeset që të bëjë pyetjet e duhura në intervistat që realizon me zyrtarët e qeverisë dhe shfaqet në Facebook-un e kryeministrit? Të gjithë menduam se ka një zë për këto shpenzime në buxhetin e Kryeministrisë, por jo. Një përgjigje vërtet për tu habitur ka dhënë lidhur me këtë deputeti socialist Fidel Ylli mëngjesin e sotëm përballë gazetarit Flavio Qarri.

Ai thotë se Hysi punon si vullnetar 8 orë në ditë, edhe pse duhet thënë se gazetari ka mbaruar studimet master për marrëdhënie ndërkombëtare, dhe nuk ka ndonjë punësim tjetër të deklaruar.

Qarri: Ku është i deklaruar gazetari, ku e merr rrogën gazetari i ERTV?

Ylli: Është vullnetar, çfarë problemi ka.

Qarri: Vullnetar 8 orë në ditë?

Ylli: Po, 8 orë, 6 orë. Në Facebook mund të dalësh edhe ti live, shkoni verifikoni dhe gjejeni personin kush është.

Marrë nga Faxweb.al