Nga Shkodra, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve rezident në vendet e tjera që të mos e vizitojnë Shqipërinë gjatë kësaj periudhe pandemie.

“Ka shumë shqiptarë jashtë vendit, por në kushte të masave të jashtëzakonshme sot u bëjmë thirrjen e kundërt. Nëse ne normalisht i thërrasim të gjithë shqiptarët të vinë në Shqipëri ta vizitojnë, sot u bëjmë thirrje të mos vinë në Shqipëri, të mos e vizitojnë sepse bëjnë dëm për vete dhe për familjet e tyre. Kjo mbetet e qartë për të gjithë qytetarët. Ata që janë rezidentë në vende të tjera nuk janë të lejuar për të ardhur në Shqipëri gjatë këtyre ditëve. Ashtu sikundër nuk lejohet asnjë shkodran të shkojë në Tiranë, apo i Tiranës të shkojë në Korçë e me radhë.”, tha Lleshaj.