Pedagogia Nora Malaj ka kritikuar skemën për zhvillimin e mësimit të alternuar në vend. Në një intervistë për Report Tv, ajo thotë se kjo skemë e vendosur nuk jep garanci të plotë për zhvillimin e këtij procesi.

Ajo tha se një zgjidhje shumë e mirë në këtë situatë do të ishte mbyllja e shkollave për sistemin parauniversitar deri në klasën e 9-të, një vendim që mund të ishte në fuqi deri në fund të vitit.

“Do doja që me arsimin të mos bëja politikë, ajo është një e mirë publike. Por janë ca të vërteta kokëforta edhe kur na dhembin për të garantuar jetën e fëmijëve dhe mësuesve. Kemi nevojë që të mos regjistrojmë humbje jete nga asnjë prej tyre. COVID nuk po kursen asnjë moshë. Të bësh një orë mësimi, nuk mundet që për kategoritë e fëmijëve tua ndërrosh metodologjinë e mësimdhënies, 1 javë po dhe 1 jo ose me ditët teke dhe çifte. Në thelbin e saj nuk të jep asnjë garanci të plotë për këtë proces. Në fillim të vitit akademik unë kam thënë që të alternohej mësimi fizik dhe online. Kam qenë që për mësimin fizik të qëndrojnë fëmijët e vegjël, të gjithë ata që për herë të parë njiheshin me mjedisin, mësuesin dhe shokët e tyre.

Kuptuam që mbajtja e distancimit social ishte thuajse i pamundur, jemi dëshmitar që shumë shkolla nuk garantojnë siguri. Kemi një moment shumë të rëndësishëm ku pjesa më e madhe e mësuesve janë infektuar nga koronavirusi. Për situatën aktuale do isha që për mësimin parauniversitar deri në klasë të 9-të të mbyllej ky muaj. Nuk humbisnin asgjë. Për ata që janë më të rritur të zhvillonin online por kushtet janë të vështira për ta realizuar. Kjo nuk do krijonte asnjë lloj problemi dhe Ministria e Arsimit të kishte kapacitetin të bënte grumbullimin e orëve të dedikuara për ta realizuar. Kjo do të rriste garancinë për të gjithë fëmijët dhe mësuesit”, tha Malaj.

Malaj thotë se mësuesit janë të lodhur nga kjo metodologji pune dhe se kontakti i tyre me nxënësit kthehet në një vatër infektimesh me COVID.

Sipas saj, situata ka dalë nga kontrolli i Ministrisë së Arsimit teksa ka një thirrje për Evis Kushin. Malaj i kërkon që ministria mos të ketë një vendimmarrje të plotë dhe të konsultohet më shumë me komitetin teknik të ekspertëve.

“Nga historia e COVID po mësojmë që po humbin jetën shumë mësues dhe pedagogë për fatin tonë të tmerrshëm dhe kjo vjen si rezultat se të rinjtë duke qenë në kontakt me ta bëhen vatra infeksioni dhe kur janë asimptomatikë, e shfaqin atë në familje. Impaktin për të gjithë këtë problem do ta marrim shumë fortë dhe do ta vuajnë së pari mësuesit. Ata janë të lodhur pasi paralelisht duan të japin garanci, janë prindër të fëmijëve dhe po bëjnë tejkalim të forcave të tyre. Jua garantoj që deri në mars ata nuk do kenë fuqi për të dhënë mësim të standartizuar nëse do i shfrytëzojmë në këtë mënyrë.

E dytë do të jetë e vështirë për familjet e atyre familjeve të fëmijëve që nuk kanë kushte minimale dhe nuk do ta përballojnë dot këtë virus. E treta që është e rëndësishme, mjediset tona për fatin tonë të keq nuk mund të menaxhohen në këtë format dhe nuk duhet të jetë vetëm Ministria e Arsimit që të ketë vendimarrje por duhet ta vazhdonin duke u këshilluar me Komitetin e Ekspertëve Teknik, nuk duhet që qeveria të ketë turp dhe të thotë se unë e kam marrë këtë masë për të siguruar fëmijët dhe nuk është qëllim që të bëjmë sikur shkruajmë në regjistër dhe të bëjmë sikur luajmë shkollash. E kam thirrje për Ministrinë e Arsimit dhe ministren Kushi pasi u ka ikur nga dora menaxhimi i shkollës“, tha Malaj.