LUSHNJE – Kreu i Lëvizjes Socialiaste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takimi me strukturat e partisë që ai drejton në qytetin e Lushnjës, është shprehur se marrja e statusit të vendit kandidat po mbahet peng nga “ankthet elektorale”.

"Interesat e vendit nuk mund të jenë peng i politikës, por ato duhet të prevalojnë mbi ato të partive politike  Nuk mund të ndërtohet një Shqipëri europiane mbi themelet e një politike konfliktuale",- është shprehur kreu i LSI-së.

Meta gjatë fjalës së tij ka theksuar se është i gatshëm për të bashkëpunuar me forca politike që kanë parësore interesat e vendit dhe integrimin në BE. Në këtë kuadër ai tha se qytetarët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të votojnë për forcat që punojnë për integrimin.

"Dita e 23 qershorit duhet të jetë modeli i qytetërimit evropian për shqiptarët. Jam i bindur që shqiptarët do të votojnë forcat politike që duan integrimin evropian",- tha kreu i LSI-së.