Presidenti i vendit, Ilir Meta i ka dërguar një letër kreut të KQZ, ku i kërkon të dijë se sa është numri i deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Duke kërkuar informacion se si ka vijuar procesi i zëvendësimit të deputetëve të PD-së dhe LSI-së, pyetja që Meta i drejton kreut të KQZ-së është: Cili është numri aktual i mandateve të deputeteve të Kuvendit të Shqipërisë në shkallë vendi?

Gjithashtu Meta kërkon që t’i vihet në dispozicion edhe lista emërore e deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë për çdo zonë zgjedhore për çdo subjekt, si dhe lista emërore e deputeteve aktualë në shkallë vendi.

Teksa mazhoranca qeverisëse ka deklaruar se do të vijojë me procedurat për shkarkimin e Presidentit, mbetet e paqartë kjo lëvizje e Metës.

Gjithsesi mbetet për t’u përmendur qëndrimi i opozitës, që e cilëson Kuvendin të paligjshëm, si edhe i vetë Presidentit Meta se në Parlament duhet të jenë 140 deputetë, e asnjë më pak.

Aktualisht, Parlamentit i mungojnë 18 deputetë pas shterimit të listave të opozitës për plotësimin e vendeve vakante.