Kreu i shtetit Ilir Meta ka pritur sot Ambasadorin e Austrisë, Christian Steiner, ndërsa i uroi suksese në misionin e tij në Shqipëri, në dobi të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Sakaq, Presidenti Meta ka shprehur falenderimet për mbështetjen që Austria vijon t‘i japë procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Sa më sipër, Meta theksoi rëndësinë që ka angazhimi konstruktiv i çdo aktori institucional në detyrimet që ka për zbatimin e 15 prioriteteve të BE-së, që kushtëzojnë procesin e negociatave të anëtarësimit, përfshi përfundimin sa më parë të reformës zgjedhore në Këshillin Politik dhe miratimin e saj në Parlament, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

“Realizimi me konsensus i reformës zgjedhore, si dhe progresi i besueshëm në të 15 prioritetet e BE-së, do të ndihmonin edhe Austrinë të kishte argumente më shumë në favor të Shqipërisë në kuadrin e debatit në BE”.

Në një postim në Facebook, Meta shkruan: Vlerësova trendin pozitiv në shkëmbimet ekonomike e tregtare dypalëshe, asistencën austriake në edukimin profesional, si dhe kërkova që eksperienca e shkëlqyer e Shkollës së Mesme profesionale të Shkodrës të shtrihet edhe më gjerë në vendin tonë.