Që nga fillimi i mandatit të tij, kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana premtoi se do të bënte 200 punë në 100 ditëshin e tij të parë, pra 2 punë në ditë.

Me kalimin e ditëve, Arbana madje e ka tejkaluar këtë premtim të tij, duke arritur deri në 3-4 punë, siç edhe bën të ditur përmes postimit të tij të fundit në Facebook.

Por më shumë sesa deklarata e Arbanës, që fundja duhet t’i bëjë këto punë madje edhe shumë më tepër, se për këtë u votua nga ata që dolën në votime, në postimin e fundit tërheqin vëmendjen fotot.

“Puna vazhdon me të njëjtën ritëm…KU KA VULLNET KA ZGJIDHJE! Cdo ditë 3-4 pune në dobi të qytetarëve”,– shkruan Arbana, ndërsa duket se punonjësit e bashkisë janë duke punuar pranë një shkolle.

Nuk dimë nëse kjo shkollë është në Shijak apo rrethina, por tualetet që shfaqen në fotot e publikuara nga kryebashkiaku nuk kanë nevojë për shumë koment. Tualete me kushte skandaloze kur tashmë jemi në vitin 2019.

Një lavaman, që më shumë se për higjenën personale mund të shërbejë për të përhapur infeksione tek nxënësit dhe stafi pedagogjik i kësaj shkolle. Këto foto tregojnë realitetin e trishtë në të cilin ndodhen shumë institucione arsimore, jo vetëm në zona periferike apo rurale, por edhe në qytete të mëdha.

Kush prind do të donte që fëmija i tij të frekuentonte një shkollë me tualete të tilla. Fatkeqësi do të ishte që dhe ambientet e klasave të jenë në gjendje të tillë të degraduar si banjot e shkollës.

M.B.