Presidenti Ilir Meta shprehet se “parimet demokratike dhe liritë themelore në shumë vende të hapësirës së OSBE-së, kërcënohen nga qeverisje që shfaqin tendenca autoritare”.

Në një status në Facebook, presidenti ka përkujtuar 45-vjetorin e nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit.

“Dita e sotme shënon 45-vjetorin e nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit. Duke sanksionuar parimin e respektimit të lirive themelore dhe të drejtave të njeriut në themel të marrëdhënieve ndërshtetërore, Dekalogu i Helsinkit ndihmoi në fundin e Luftës së Ftohtë dhe çlirimin e Europës Lindore nga totalitarizmi komunist.”, shkruan Meta.

Ai thekson se Shqipëria që tashmë ka marrë presidencën e OSBE-së duhet të japë shembullin e saj në respektimin e parimeve të Helsinkit, veçanërisht në fushën e forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe zgjedhjeve të lira dhe konkurruese në vend.

“Ky jubile i rëndësishëm, duhet të na bëjë më të ndërgjegjshëm se, liritë dhe të drejtat e njeriut nuk mund të merren si të mirëqëna e të paprekshme. Për mbrojtjen të tyre duhen përpjekje e vigjilencë e përhershme. Nëse asokohe Shqipëria komuniste ishte i vetmi vend europian që e denoncoi procesin e Helsinkit, ky përvjetor e gjen vendin tonë në krye të punëve të OSBE-së. Me marrjen e Kryesisë së Radhës së OSBE-së, Shqipëria ka detyrimin dhe përgjegjësinë që të udhëheqë me shembullin e saj në respektimin e parimeve të Helsinkit, veçanërisht në fushën e forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe zgjedhjeve të lira dhe konkurruese në vend.”, shton ai.