Gjatë takimit të përjavshëm me qytetarët për platformën bashkëqeverisëse, kryeministri Edi Rama iu ka bërë thirrje të gjithë pensionistëve, të cilëve iu është përllogaritur gabim pensioni.

Kreu i qeverisë tha se se të gjithë pensionistët t’i drejtohen platformës bashkëqeverisëse për të zgjidhur problemin e tyre, pasi  do t’i marrin lekët që iu janë mohuar.

“Ne jemi shumë të angazhuar për t’i ardhur në ndihmë të gjithë pensionistëve, që kanë nevojë për rillogaritjen e pensionit. E mira e kësaj pune është që pasi bëhet llogaritja e pensionit do vendoset pensioni në shumën e drejtë, merret gjithë diferenca lekë dore. Kështu që të gjithë ato lekë të mohuara në disa vite vijnë menjëherë, dhe kjo e shlyen deri diku detyrimin moral të shtetit ndaj pensionistëve. I bëj thirrje të gjithë pensionistëve që kanë një problem, të mos mundohen të shkojnë në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, por t’i drejtohen platformës bashkëqeverisëse, pasi ne zgjidhim me shumë kënaqësi problemin e tyre”, tha Rama.