Në një prononcim për mediat, përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik, Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi janë shprehur se ende nuk është arritur dakordësi sa i përket implementimit të teknologjisë në procesin e votimit.

Vasili u shpreh se sot PS ka si strategji të minojë reformën, të rrëmbejë votat në komisione të paligjshme dhe të shkojë drejt miratimit të njëanshëm të Reformës Zgjedhore.

“Me një votim normal s’mund t’i fitojë këto zgjedhje edhe është kapur si i mbyturi pas një fije bari  qe të marrë e vjedhë votat në tavolinë. Të mbushë kutitë në tavolinë ashtu siç bëri në 30 qershor që ju deshën më shumë se 4 javë për kutitë që i mbushte. Pa kthim është asnjë cm më poshtë nga standardet që tani ekzistojnë e të hyjmë në një rrugë që s’ka ekzistuar kurrë. Sot PS ka vetëm një strategji. Ta minojë reformën të rrëmbejë votat në komisione të paligjshme dhe të shkojë drejt miratimit të njëanshëm të Reformës Zgjedhore dhe të bëjë sikur harron që tre çështje të mëdha në 15 kushtet janë Reforma Zgjedhore zbatimi i saj dhe hetimi i Krimit Elektoral. Propozimet e opozitës janë publike, të qartë, për një paritet absolut. PS nuk kërkon paritet, por kërkon që të mos ketë asnjë sy tjetër në tavolinë. Kemi bërë propozime për të garantuar votën e zgjedhësve shqiptarë”.

Ndërsa përfaqësuesi i PD-së në tryezën e Këshillit Politik Oerd Bylykbashi, teksa u pyet nëse jemi drejtë dështimit të Reformës Zgjedhore u shpreh se propozimet e tyre pavarësisht se garantojnë votën e zgjedhësve janë refuzuar.

“Të gjitha propozimet tona janë refuzuar. Pavarësiasht fleksibilitetit të opozitës, ne jemi përballur me refuzim të çështjeve që garantojnë procesin zgjedhor. Deri më sot opozita çdo kërkesë që ka bërë i është refuzuar nga PS, që nuk ka në interesin e saj interesin e zgjedhësve”.