Kreu i PD, Lulzim Basha i është bashkuar protestës së banorëve të zonës së Astirit në ditën e 32 të tyre. Gjatë prononcimit të tij, Basha tha se Edi Rama ka shkelur prej kohësh vijën e kuqe dhe se u kërkoi qytetarëve të mos dorëzohen, pasi sipas tij beteja do fitohet.

“Edi Rama ka kohë që ka shkelur vijën e kuqe. Asnjë zhvillim nuk do të sjellë ky projekt. Admirim për kurajon e banorëve. Sot jemi në një betejë kundër vjedhjes ku janë ngritur edhe studentët. Kjo është një revoltë qytetare që po vlon në çdo cep të qytetit dhe në qytetet e tjera. Unë kam një mesazh se kështu beteja do fitohet. Mos u dorëzoni se të gjithë së bashku jemi më të fortë dhe do triumfojmë kundër vjedhjes tek Unaza, në universitet dhe duke rikthyer fatin tuaj. Jam i frymëzuar nga qëndresa juaj.”– tha Basha.

Është projekti i vetëm që Edi Rama ka për ju. Falënderime nga zemra Unazës që ka treguar se si mund të arrish ta zmbrapsësh të keqen kur je i bashkuar. Jam i frymëzuar nga qëndresa juaj dhe do vazhdojmë ta mbështesim. Unë jam dhe do jem në krah të çdo proteste. Thirrja që kam sot për qytetarët shqiptarë, për hallexhinjtë të cilëve iu është futur në xhep Edi Rama përmes grabitjes është, qëndroni bashkë. Bashkohuni, ngrihuni. Luftoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Duke qëndruar bashkë do fitojmë. Kjo është vjedhja më e madhe e parave të shqiptarëve dhe vjedhja më e madhe e shënuar ndonjëherë në botë. Ne e kemi denoncuar këtë vjedhje, sot është e faktuar, mediat vazhdojnë të nxjerrin detaje tronditëse të kësaj vjedhjeje.

Vjedhje është kjo që bëhet këtu, vjedhje ajo që po bëhet me studentët, vjedhje ajo që po bëhet me Teatrin Kombëtar. T’i zmbrapsim nën shembullin e kësaj qendrese. Kërkojini prokurores pse nuk e hap hetimin. Bëni detyrën tuaj, mos prisni t’i bëjë të gjitha opozita. E shihni çfarë bën pala tjetër, i përçan, i shan. Po të mos ishim bashkë me këto familje, gjëra më të zeza do kishin ndodhur. Protesta është më e madhe se dje. Pushteti do bëjë gjithçka për t’i ndalur”, deklaroi kreu i PD.