Në forumin e nisur nga shoqëria civile, kandidatja e BINDJES DEMOKRATIKE për bashkinë e Durrësit, Valbona Sakollari ka folur për drejtimin e bashkisë dhe për reformat që do marrë në njësitë administrative. Ajo ka folur edhe se si do jetë e ardhmja në projektet e mëdha si Veliera.

“Lidhur me transparencën në vendimmarrje di që përfaqësimi është në nivel shumë shumë të ulët në qeverisjen lokale, di gjithashtu edhe që jashtë qendrës së Durrësit ka një përqindje shumë të vogël të zonave rurale që ndihen të përfaqësuara.

Pra, mënyra se si unë do menaxhoj qeverisjen lokale është së pari duke zgjeruar pjesëmarrjen dhe shtrirë qeverisjen lokale në të gjithë bashkinë e Durrësit. Nuk kemi pse të dallojmë sot fshatarin nga qytetari, nuk është qytetar ai që qëndron në qendër të Durrësit por qytetar është i gjithë komuniteti dhe kushdo që jeton në bashkinë e Durrësit. Kjo do të bëhet me grupe pune jo vetëm në qendër të bashkisë, por në të gjitha njësitë administrative. Pra, shkon bashkia tek njësia administrative dhe nuk merr rrugën qytetari njëherë tek njësia administrative pastaj të vijë në qendër e pastaj të kthehet sërish mbrapsh. Me këtë plan pune të mirëfilltë, grupe të caktuara nga bashkia e Durrësit shkojnë në njësitë administrative për të marrë opinionin.

Një gjë shumë e rëndësishme që dua t’ju sqaroj është strategjia e vendimmarrjes nëpërmjet referendumeve për të gjitha ato çështje që i përkasin Durrësit të pas 30 viteve. Pra, për raste si Veliera do kalohet në referendum që secili të mendojë dhe të shprehë nëse duhet bërë dhe jo të gjejë vrima të të shkuarës tonë, ngrihemi një mëngjes dhe kuptojmë se kemi shkatërruar një histori 2500-vjeçare për një biznes dy lekësh të dikujt. Kjo nuk do të jetë më!”, tha znj. Sakollari.