Projektet e rëndësishme për ndërtimin e marinës turistike dhe portit të ri tregtar në Porto Romano dhe dritëhiqet që i shoqërojnë ato ishin temë e takimit të Klubit Rotarian Durrës.

Duke renditur disa nga kundërshtitë e tij lidhur me projektet shumë miliona euro, profesor Osman Metalla theksoi atë që sipas tij është arsyeja kryesore:

“Detyra e projektimit, kompanisë i është dhënë me detyrim-përcaktim. Fjala detyrim-përcaktim do të thotë që kjo është zona, kjo është hapësira që ka mbetur në gjirin e Porto Romanos do të zhvillohet porti i ri i kontejnerëve. Çfarë ka ndodhur në këtë zonë? Deri para 20 vitesh kjo ka qenë zonë e pazhvilluar, pastaj u kujtua një zhvillues dhe tha: Dua të bëj një port. Shteti, i cili ka detyrimin që të bëjë studime të optimizimit të shfrytëzimit të aseteve tona kombëtare, duhet të kishte bërë një masterplan zhvillimi të porteve dhe të përcaktonte vendet dhe mënyrat sesi duhej të zhvillohej zona. Në fakt, këtë gjë nuk e ka bërë shteti, por privati”,– tha Metalla.

Duke u ndalur tek projeksionet e volumit të mallrave dhe kontejnerëve, që parashikohen të përpunohen në portin e ri (50 milionë ton mallra dhe 2 milionë TEU), Metalla i cilësoi ato të pabesueshme.

“Këto janë shifra që janë të pabesueshme dhe na çojnë në konkluzionin që ky lloj porti realisht nuk mund të ndërtohet dhe vështirë se ndërtohet të paktën në këtë formë sesi është propozuar”.

Volumi vjetor në 3 portet e rajonit (Durrës, Bari dhe Selanik) është aktualisht 26 milionë tonë mallra, ndërkohë Autoriteti Portual pretendon për një shifër dyfish më të lartë prej 50 milionë tonë në përfundim të investimit.

Për profesor Metallën, një nga arsyet se pse porti i Durrësit nuk ka marrë rëndësinë e duhur në rajon për përpunimin e mallrave është pikërisht infrastruktura.

“Problemi më i madh nuk janë rrugët, sepse në këto 30 vite të gjitha qeveritë janë fokusuar tek rrugët, por kanë harruar një element shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm të infrastrukturës, që është hekurudha”,- deklaroi ai.

Një tjetër shqetësim që sipas Metallës nuk është analizuar siç duhet nga autoritetet është mundësia reale e APD për të paguar këstet e kredisë për ndërtimin e portit në Porto Romano.

Sipas tij, me nxitimin për të realizuar këto dy investime për të cilat është shmangur çdo lloj konsultimi publik dhe marrje e mendimit të ekspertëve të fushës, Durrësi rrezikon të mbetet pa port vitet e ardhshme.

M.B.