Mungesa e punëtorëve një nga problematikat më të mprehta për shumë sektorë të ekonomisë ka prekur ndjeshëm edhe prodhuesit e bukës, ëmbëlsirave dhe pastiçerive.

Hendeku i krijuar te burimet njerëzore edhe nga ky sektor pritej të zgjidhej me punësime të të huajve nga India dhe Filipinet, ku më herët prodhuesit e bukës zhvilluan takime me kompani rekrutimi nga Dubai.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave  Gëzim Peshkopia tha për Monitor se kompanitë vendase janë tërhequr nga vendimi për punësimet e të huajve. Arsyet për mosmarrjen e tyre, sipas tij janë kostoja e lartë për paga dhe akomodim dhe pasiguria për ofrimin e punonjësve të kualifikuar.

“Kostoja për marrjen e punonjësve të huaj ishte e lartë që shkonte përtej 1,000 euro në muaj (800 euro rroga +300 euro akomodim, ushqimin. Më mirë të rrisim rrogat e fuqisë vendase sesa të mbajmë punonjës të huaj për të cilët nuk garantohet kualifikimi i duhur për përpunimin e brumit dhe përgatitjen e ëmbëlsirave. Do të vijojmë me politikën e rritjes së pagave edhe për 2024-n.

Përgjatë vitit 2023 pagat e punonjësve për këtë sektor janë rritur 2 deri 3 herë. Nuk ka më punonjës me pagë 40 mijë lekë në muaj. Niveli i pagës për specialist mesatar varion 60 mijë deri 70 mijë lekë në muaj. Për specialistin e lartë paga arrin deri 150 mijë lekë në muaj. Ndërsa paga e punonjësve sanitare është 55 mijë deri 65 mijë lekë në muaj.”

A e përballon këto kosto shtesë sektori i prodhimit të brumërave dhe ëmbëlsirave?

Peshkopia thotë se për zbatimin e kësaj vendimmarrje parësore do të vijojë të mbetet ruajta e ekuilibrit me qëllim mosrritjen e çmimit të bukës. Kostot e rritjes së pagave sipas tij janë amortizuar te ulja e fitimeve të bizneseve, por edhe të rritja e çmimeve për disa lloje produktesh, duke mos prekur çmimin e bukës masive.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave pohon se aktualisht ka një stanjacion të largimeve të popullatës në emigracion, pavarësisht tendencës pozitive kërkesa për punonjës të rinj veçanërisht në sektorin e shërbime, si shitëse apo sanitare mbetet e lartë.

“Nuk presim që vitin e ardhshëm të vijojë kriza, si e këtij viti për punonjësit, pasi largimi është frenuar. Janë të shumta familjet që kanë ikur prej vitesh në emigracion dhe po rikthehen. Pra bëhet fjalë për individë me zanat që po rehabilitohen në vend”.

Sipas të dhënave të shoqatës në vend operojnë 8,000 deri 10,000 furra buke dhe pastiçeri, ku secila prej tyre po vuan mungesën e fuqisë punëtore. Mungesa e fuqisë punëtore shtoi kostot edhe për prodhuesit e bukës. Rritja e pagave vështirësoi vjet gjendjen te disa furra buke, të cilat rritën çmimet e bukës masive 10 deri 20 lekë./Monitor