Për herë të parë një Kryeministër i Greqisë në një vizitë zyrtare në Shkup. Aleksis Cipras mbërriti këtë të martë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, të cilit iu hoq emri i mëparshëm i “Aleksandrit të Madh” sipas marrëveshjes historike të Prespës. Cipras u prit nga Ministrat e Mbrojtjes dhe Ekonomisë, Sheqerinska e Bekteshi, të cilët e shoqëruan në selinë e qeverisë për t’u takuar me homologun Zoran Zaev. Nuk munguan momentet e fotografive personale.

Për Zoran Zaevin, dukshëm i lumtur nga vizita e Ciprasit, bëhet fjalë për një takim historik.

“Nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, po nënshkruajmë historinë. Greqia ishte e para që nënshkroi protokolli. Kur të ktheheni pas do të shihni kohë të humbura, kur të shihni para do të shihni dy vende mike, të cilat me vendime të guximshme shkojnë para drejt së ardhmes. Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i saj janë garanci për të ardhmen e dy vendeve”, tha Zaev. 

Kryeminsitri Cipras siguroi se Greqia do të mbështes Maqedoninë e Veriut deri në anëtarësimit e plotë në NATO dhe BE.

“Ne jemi këtu për të gjetur zgjidhje dhe për të shikuar përpara, të shohim drejt ardhmërisë. T’i largojmë nyjet, të ndërtojmë ura në vend të mureve. Ne mësojmë nga historia, por edhe krijojmë historinë tonë, ky është vizion kyç për Europën dhe Ballkanin”, deklaroi Cipras.

Gjatë vizitës në Shkup, Cipras u takua edhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.