Njësoj si ditën e djeshme, maturantët priten të dalin sërish në protestë sot në orën 11:00.

Shkak është bërë provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë ku sipas tyre provimi ishte i ndërtuar me pyetje subjektive dhe disa alternativa që ishin përfshirë nuk ishin pjesë e programit mësimor.

Ata kërkojnë që protestës së sotme t’i bashkohen studentë, mësues dhe prindërit të cilët janë prekur gjithashtu nga ky provim.

Me pankarta nëpër duar ata qëndruan përreth 6 orë përpara Ministrisë së Arsimit ditën e djeshme nga ora 11:00 deri në 17:00.

Nxënësit kërkojnë rivlerësimin e provimit, mos vlerësim për pyetjet jashtë programit dhe uljen e pragut të vlerësimit.

Por për Qendrën e Shërbimeve Arsimore, pretendimet e maturantëve nuk janë të vërteta dhe nuk ka asnjë gabim shkencor dhe mënyra se si hartohet përjashton çdo mundësi që të ketë gabime – qoftë në përmbajtje dhe qoftë në përfshirjen e koncepteve jashtë programit.

Ministrja Besa Shahini u shpreh se kur të mblidhen të gjitha rezultatet dhe nëse rastis që testi të ketë qenë më i vështirë se sa njohuritë e nxënësve, atëherë QSHA do bëjë rishpërndarje të peshës së pikëve për çdo notë.