Mjeshtri i madh i skenës Lutfi Hoxha mbush 85 vjeç, surpriza që iu organizua në Durrës (VIDEO)

02/06/2019 - 15:23

Mjeshtri i madh i skenës, një prej themeluesve të teatrit “Aleksandër Moisiu”, Lutfi Hoxha, ka mbushur 85 vjeç. Ishin miqtë e tij me të cilët ka ndarë për më shumë se 66 vjet në skenë duke arkivuar 95 role në teatër, 22 në filma dhe dhjetëra në estradë, të cilët i bënë edhe një takim surprizë me rastin e 85-vjetorit, duke u mbledhur në odeonin “Nikolin Xhoja” në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

Plejada e çmuar e artistëve, midis tyre regjisori Gjergj Vlashi, Haxhi Rama, aktorët Aishe Stari, Elibeti Tirana, Hysen Bashhysa, e dhjetëra të rinj kanë marrë pjesë në takimin jubile. Regjisori Haxhi Rama, iniciator i kësaj ceremonie solli disa kujtime duke e konsideruar “mbret” të skenës mjeshtrin e madh.

Regjisori Gjergj Vlashi është i pari që evidentoi talentin e Lutfi Hoxhës. Që në pjesëmarrjen e tij të parë në një rol në skenë, u vlerësua me çmimin e parë pavarësisht se erdhi nga klasa punëtore si një punëtor i kantierit detar. Karriera e tij erdhi në ngjitje duke marrë pjesë në shumë role e duke bërë për vete publikun e gjerë, që sapo ngjitej në teatër e vlerësonin edhe më shumë me duartrokitje.

Fjalën e kanë marrë Sanie Hoti, Hysen Bashhysa, Roland Kova, Muharrem Hoxha, Aishe Stari, Edmond Halili, akorët me të cilët ka ndarë skenën dhe një jetë të tërë në qyetin bregdetar.

Vetë artisti Hoxha, të cilin e karakterizon modestia, është ndjerë thellësisht i vlerësuar dhe i emocionuar nga fjalët që të gjithë kolegët e tij thanë për të.

Vitin e kaluar, 85-vjeçari Hoxha, interpretoi në filmin artistik “Derë e Hapur”, duke thyer edhe një rekord tjetër si një nga aktorët me karrierë më të gjatë të kinemasë shqiptare, karrierë që nis me filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1956. Lutfi Hoxha ka ardhur në teatrin e Durrësit “me pantallona të shkurtra”. Ishte vetëm 18 vjeç, kur bashkë me disa nga artistët më të mirë amatorë të qytetit bregdetar më 11 janar të vitit 1953 i dhanë jetë teatrit më të ri dramatik në vend.

K.H.

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori