Këtë të diel, gjiganti i teknologjisë Samsung, prezantoi në Barcelonë dyshen e shumëpritur Galaxy S9 dhe S9+. Smartfonët e rinj të avancuar vijnë me specifika të reja, por me dizajn kryesisht të vjetër.

Të dy, S9 dhe S9+, vijnë me dizajn të ngjashëm, kornizën nga alumini – janë rezistentë ndaj ujit, kanë xhamin mbrojtës Gorilla dhe shumëçka tjetër.

Altoparlantët të fuqishëm stereo të ndërtuar nga AKG, audio imersive me Dolby Atmos dhe një ekran elegant pa kufij Infinity1 – një element kyç në trashëgiminë e projektimit të Samsung. Për më tepër, Galaxy S9 dhe S9+ vijnë me aplikacionin e ri SmartThings, i cili bashkon shërbimet ekzistuese IoT të Samsung në një përvojë të vetme dhe të zgjuar.

“Mënyra se si i përdorim smartphonët ka ndryshuar duke qenë se komunikimi dhe të shprehurit ka evoluar. Me Galaxy S9 dhe S9+, ne kemi transformuar kamerën e smartphonëve. Galaxy S9 dhe S9+ jo vetëm që u mundësojnë konsumatorëve që të bëjnë fotografi dhe video më të mira kudo, por janë smartphone të projektuar për t’i ndihmuar ata të lidhen me të tjerët dhe të shprehen në një mënyrë që është unike dhe personale për ta”, tha DJ Koh, president dhe Shef i Divizionit të IT & Mobile Communications pranë Samsung Electronics.

Por detaji që iu intereson të gjithëve, dhe jo më pak i rëndësishmi, sa kushtojnë këta super smartphone?

Sipas medieve ndërkombëtare, çmimi për S9 do të nisë nga 850 euro dhe S9+ prej një mijë eurosh. Prej 25 shkurtit nisin porositë e tyre, ndërsa shpërndarja gjatë muajit mars.