Autostrada Tiranë-Durrës do jetë në funksion të pushuesve dhe udhëtarëve edhe këtë fundjavë. Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore informojnë qytetarët se deri sot në orën 14:00 do të vijojë ndërhyrja për riparimin e shtresave asfaltike në Maminas-Sukth-Shkozet.

Pas orës 14:00, kur parashikohet edhe përfundimi i riparimit të atij segmenti dhe gjatë gjithë fundjavës, aksi Tiranë-Durrës dhe ai anasjellas do jenë plotësisht të hapur në funksion të lehtësimit të lëvizjes së pushuesve që zgjedhin plazhet gjatë fundjavës.

ARRSH pritet të bëjë një njoftim të dytë të shtunën edhe për vazhdimin e ndërhyrjes në segmentin Shkozet-Durrës dhe më tej në aksin Durrës-Tiranë për të kompletuar kështu të gjithë ndërhyrjen në autostradë.