Olesia Duka ka deklaruar para gjykatës së Durrësit që gjithçka është një skenar filmi i montuar për të prishur karrierën profesionale dhe imazhin e saj publik.

E marrë në pyetje nga gjykatësja Eda Kaja, në lidhje me njohjen që ka me kambistin nga Durrësi I.H., dhe 8 personat e tjerë nga Tirana dhe Durrësi që kanë bërë denoncimin, ajo pranoi se një pjesë të tyre i njihte se kishte marrëdhënie biznesi.

“Unë i njoh por s’jam mashtruese siç pretendon Prokuroria. Kam 3 klinika dentare dhe kisha nisur një projekt bamirësie me fondacionin “Dhuro buzëqeshje falas” për të rregulluar gojën e fëmijëve të policëve të vrarë.

Kontratat e huamarrjes i kam lidhur para noterit në lidhje me personat e mësipërm që kam marrëdhënie biznesi.

Me shtetasin I.H. me të cilin jam njohur më 2 nëntor 2016, kam pasur 6 muaj marrëdhënie biznesi, dhe në qeshor vëllai i tij më tha se i detyrohesha 843 mijë euro borxh. I thashë që kjo nuk është e mundur. Kërcënimi që më bënë 2 vëllezërit më detyruan të merrja borxh te disa persona të tjerë, e madje edhe kredi bankare për t’ua shlyer”.

Prokurori Madrid Kullolli e pyeti në lidhje me marrëdhënien e biznesit se si i ka nënshkruar kontratat e huamarrjes me personat që e kanë denoncuar. Ajo tha se i ka shkruar para noterit, por ai i solli në vëmendje edhe disa kontrata që janë sekuestruar në banesën e saj, për të cilat pranonte se kishte marrë borxhe të ndryshme.

Një prej tyre ishte dhe një borxh i pranuar prej saj prej 35 mijë eurosh në një recetë mjekësore, ku i linte si garanci pasurore një apartament në plazhin e Durrësit.

Avokatët mbrojtës të saj kërkuan që të dalë nga masa e arrestit me burg, ndërsa prokurori tha se për shkak të rrezikshmërisë duhet të qëndrojë në burg. Gjykatësja Eda Kaja pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe dha masën arrest me burg.