Era e fortë që ka përfshirë Durrësin paraditen e sotme, ka shkaktuar dëme në zona të ndryshme të qytetit bregdetar.

Një antenë e vendosur në katin e 5 të një pallati në Durrës ka përfunduar në katin e tretë si pasojë e erës së fortë. Mësohet se në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ndërkohë që duhet ndërhyrja e zjarrfikëses për spostimin e saj.

Ndërsa në aksin hyrës të qytetit të Durrësit, në lagjen nr.17, degë të këputura pemësh kanë përfunduar në rrugë.

Në lagjen nr.13 në plazh, fotot e publikuara nga "DurrësLajm", tregojnë se deti ka avancuar shumë në thellësi të bregdetit për shkak të dallgëve të tërbuara që janë regjistruar që nga dita e djeshme.

Megjithëse ditë e shtunë, e gjithë vija bregdetare është thuajse e boshatisur, ndryshe nga fundjava e kaluar që solli një dyndje pushuesish në plazhin e Durrësit.

Si pasojë e motit të keq në Durrës, mëngjesin e sotëm kapiteneria e portit ka urdhëruar pezullumin e lundrimin të anijeve të peshkimit dhe atyre të tonazhit të mesëm deri ne përmirësimin e kushteve atmosferike.