Rruga "Pavarësia" në plazhin e Durrësit është kthyer në makth për këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletës. Shkak është bërë mungesa e kapakëve metalikë të pusetave përgjatë rrugës.

Ndonëse punimet e fundit në këtë segment të rëndësishëm për qytetin u kryen jo më larg se një vit më parë, vendosja e kapakëve nuk është bërë asnjëherë.

Për qytetarët kjo është e pafalshme nisur edhe nga fakti se përgjatë stinës së verës kjo lagje "pushtohet" nga pushuesit, këta të fundit shprehen se një panoramë e tillë nuk i shkon aspak zonës turistike.

Por rruga "Pavarësia" nuk është i vetmi segment në të cilin ekziston një problem i tillë pasi në të gjitha lagjet e mundshme ndeshesh me një situatë të tillë, mungesën e kapakëve metalikë të pusetave.

Banorët shprehen se pusetat janë kthyer në vend grumbullimi mbetjesh, ku qëndrojnë edhe brejtës të cilët futen në banesat e tyre, çka rrezikon dhe shpërndarjen e infeksioneve apo sëmundjeve të ndryshme.

K.H.