Me skena të forta e të qeshura pafund, “Martesa me kushte” nga Dario Fo erdhi premierë në teatrin e Durrësit mbrëmjen e së enjtes.

“Vepra ka një paradoks. Në pjesën e parë të saj sheh një çift, ku burri dominon e drejton jetën e gruas, gati-gati e ka një lloj aksesori në jetën e përditshme. Pastaj Dario Fo e ndërron raportin dhe aty shpërthen drama, aty lind i gjithë refleksioni mbi një marrëdhënie, që në një situatë të caktuar do të mund të ishte e përmbysur”, tregon për kamerën e “DurrësLajm” regjisori Altin Basha.

Shfaqja jep sfondin e jetës bashkëkohore, ku institucioni shekullor i martesës vihet nën një mikroskop komik.

Është historia e një çifti që “lufton” me konceptin e marrëdhënieve “të hapura” – një temë po aq e rëndësishme sot sa kur u shkrua për herë të parë drama.

“Në një sens apo një tjetër publiku identifikohet me problematikat e çiftit që kemi në skenë.

Barazia në çift është nevojë e një shoqërie moderne, ku ne dëshirojmë të shkojmë dhe duke pasur një prapambetje në këtë drejtim, gjendemi në situata paradoksale si kjo e çiftit të shfaqjes sonë”, shton Basha.

Artdashësi durrsak i priti plot humor, skenat me mesazhe të forta dhe therëse për dashurinë, besimin dhe pritshmëritë e një raporti në çift, që risolli në vëmendje fuqinë e teatrit për të argëtuar, ndriçuar dhe provokuar biseda kuptimplota rreth aspekteve të ndryshme të jetës njerëzore.

“Aktori bëhet pjesë e një realiteti dhe nëse ngren zërin është mirë, në dobi të kauzës dhe në këto ditë që jetojmë ka problematika të jashtëzakonshme brenda familjes, sidomos gruaja”, shpjegon aktori Gazmend Gjoka, ndërsa partnerja e tij në skenë, Olta Daku shton: “Jam e mrekulluar nga pritja e publikut durrsak. Është një vepër që ka shumë humor. E punuar me mjeshtëri nga Altin Basha dhe me një partner si Gazi, suksesi është i garantuar”.

Me këtë premierë shfaqja nisi rrugëtimin e saj nga Durrësi, për të vijuar më pas në qytete të tjera të vendit.

K.Gj.