Për të katërtin vit radhazi, Shoqata “Së Bashku Ne Mundemi” zhvilloi nismën humanitare “Dhuro një çantë, gëzo një fëmijë”, duke u ardhur në ndihmë fëmijëve nga familje në nevojë.

Në kuadër të kësaj nisme, 150 fëmijë u pajisën me çanta dhe mjete shkollore, duke marrë një mbështetje konkrete për nisjen e vitit të ri shkollor dhe një mesazh të fortë solidariteti.

Aktiviteti u zhvillua në Ditën e Shën Nënë Terezës, simbol i humanizmit, bamirësisë dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë.

Drejtoresha e Shoqatës “Së Bashku Ne Mundemi”, Elsa Tasha, theksoi se kjo nismë synon që çdo fëmijë të nisë shkollën me dinjitet, me mjetet e nevojshme dhe me ndjesinë se komuniteti kujdeset për të.

Një rol të veçantë në mbarëvajtjen e aktivitetit pati moderatori i shkëlqyer Defrim Methasani, i cili me profesionalizmin, përkushtimin dhe komunikimin e tij solli emocion dhe ngrohtësi gjatë gjithë ceremonisë.

Nisma u bë e mundur falë kontributit të donatorëve Etleva Budini, Shkëlqim Kuka, Jurida Kraja, Zana Gjoni, Joralda Tereziu, Jonida Çeçe, Monika Norja, Anisa Goga, Osman Hasa, Lirije Mema, Merilda Pemaj, Pranvera Metaj, Edlira Jakova, Viola Kapidani Kullolli dhe dyqani i lodrave ZED.

Shoqata “Së Bashku Ne Mundemi” shpreh mirënjohjen për të gjithë donatorët, bashkëpunëtorët dhe kontribuuesit që u bënë pjesë e kësaj nisme, duke e kthyer solidaritetin në një ndihmë konkrete për 150 fëmijë.

Një çantë e re, mjete shkollore, por mbi të gjitha një arsye më shumë për të buzëqeshur dhe për të besuar.
“Çdo fëmijë në shkollë me dinjitet” mbetet mesazhi i kësaj nisme dhe angazhimi i Shoqatës “Së Bashku Ne Mundemi”.