Edicioni i parë i “Dyrrachium International Theater Festival” po shkon drejt fundit.

Mbrëmjen e së mërkurës, në skenën e improvizuar të amfiteatrit të Durrësir u ngjit një trupë teatrore nga Rumania, që interpretoi me mjaft profesionalizëm komedinë “Cehov in love”, që ishte konceptuar si një miksim i dy pjesëve të shkruara nga dramaturgu i njohur rus Anton Çehov.

“Cehov in Love” solli në skenë një univers ku humori dhe melankolia ecin krah për krah, ku një vështrim mund të thotë më shumë se një deklaratë dhe ku, pas çdo buzëqeshjeje, mund të fshihet një zemër që pret.

Për regjisoren e shfaqjes dhe një nga aktorët, performanca në amfiteatër mbart një emocion më vete.

“Para së gjithash dua të falenderoj të gjithë ata që janë angazhuar me këtë festival, sepse është bërë një punë shumë e madhe. Ndihemi të respektuar që u bëmë pjesë e këtij festivali dhe që do të jemi shfaqja e fundit që performojmë. “Cehov in love” është një miksim i dy pjesëve të dramaturgut të njohur Anton Çehov. Ftoj publikun të na mirëpresë dhe ta shijojë shfaqjen, sepse ajo flet për temën universale të dashurisë”,- tha regjisorja Alice Nicolae. 

“Kemi përherë shumë emocione para një shfaqjeje. Jemi të lumtur që ndodhemi në Durrës dhe uroj që publiku ta shijojë shfaqjen. Dua të nënvizoj që unë jam një adhurues i arkeologjisë dhe historisë dhe për mua është një kënaqësi e vërtetë të performoj në amfiteatër”,- tha një nga aktorët protagonistë.

E ndërsa aktorët e teatrit Simplu nga Rumania flisnin në skenë për dëshirën, zhgënjimin dhe marrëzinë e ëmbël që quajmë dashuri dhe korrën duatrokitjet e publikut, edicioni i parë i “Dyrrachium International Theater Festival” uli siparin e shfaqjeve. Vëmendja tani do të përqendrohet tek mbrëmja e së premtes, kur juria profesioniste do të shpërndajë çmimet për shfaqjen dhe aktorët më të mirë të këtij festivali ndërkombëtar teatror.

M.B.