Në fillim të muajit shtator, Policia Bashkiake Durrës nisi një aksion për lirimin e hapësirave publike nëpër lagjet dhe kuartallat e qytetit, ku i ftonte qytetarët dhe subjektet private të lironin në mënyrë vullnetare hapësirat publike të zëna me pengesa të ndryshme.
Por periudha kur qytetarët dhe subjektet duhet t’i lironin në mënyrë vullnetare ka përfunduar prej ditësh tashmë dhe Policia Bashkiake ka rinisur aksionin, por këtë herë heqja e kupolave prej betoni, strukturave metalike, gomave, karrikeve dhe mjeteve të tjera rrethanore shoqërohet me masë administrative.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Policia Bashkiake njofton se në vijim të njoftimit të datës 9 shtator, “ndaj subjekteve dhe individëve që nuk kanë marrë masat e nevojshme për largimin e pengesave janë vendosur masa administrative me gjobë, ndërsa shërbimet tona kanë vijuar me largimin e detyruar të kupolave prej betoni, strukturave metalike, gomave, karrigeve dhe mjeteve të tjera rrethanore që pengonin përdorimin normal të hapësirave publike nga qytetarët”.
Policia Bashkiake bën të ditur se aksioni do të shtrihet në të gjithë territorin e bashkisë.
“Ky aksion do të vijojë çdo ditë, në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës, me qëllim garantimin e lirimit të hapësirave publike”.,- shkruhet ndër të tjera në postim.





