Policia Bashkiake është duke vijuar aksionin për identifikimin dhe lirimin e hapësirave publike nga mjetet e braktisura në rrugët e Durrësit.
Ky aksion është në vazhdim të njoftimit të bërë më datë 15 shtator 2026 dhe sipas Policisë Bashkiake njoftimi ka sensibilizuar qytetarët dhe, në disa raste, pronarët kanë reaguar në mënyrë vullnetare, duke larguar automjetet e tyre nga hapësirat publike.
Shërbimet e Policisë Bashkiake e kanë përqendruar aksionin e radhës, në zonën A të qytetit dhe kuartallat e saj, me qëllim identifikimin dhe lirimin e hapësirave të zëna nga mjetet e braktisura.
Sipas kësaj policie, në këtë zonë janë identifikuar gjithsej 43 mjete të braktisura, nga të cilat:
“10 mjete pa targa ose me targa të huaja, për të cilat është bërë njoftimi publik pranë Drejtorisë së Policisë Bashkiake, Bashkisë Durrës dhe Prefekturës Durrës;
33 mjete me targa, për të cilat është kërkuar informacion nga DPSHTRR Durrës për pronarët e tyre dhe gjendjen juridike të mjeteve”.
Aksionet do të vijojë edhe në lagje të tjera të qytetit, në funksion të sistemimit të hapësirave publike dhe përmirësimit të mjedisit urban.
Policia Bashkiake paralajmëron qytetarët që në rast se mjetet nuk largohen në mënyrë vullnetare, shërbimet e Policisë Bashkiake do të vijojnë me largimin e detyruar me karrotrec.
“Në këto raste, për pronarin e mjetit do të aplikohen detyrimet për transportin me karrotrec, masa administrative me gjobë, si dhe tarifat për çdo ditë qëndrimi të mjetit në pikën e bllokimit. Bashkëpunimi qytetar është mënyra më e mirë për të shmangur këto masa dhe për t’i kthyer hapësirat publike në shërbim të të gjithëve”,– bën të ditur Policia Bashkiake.










