Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës, ka reaguar lidhur me incidentin e denoncuar nga gazetarja Albana Aliaj e Syri TV, që ndodhi sot teksa filmonte kontrollet e forcave të Policisë në zonën e Shkozetit.
UGSH, Dega Durrës kërkon nga strukturat përgjegjëse që rasti të verifikohet me transparencë dhe të bëhen të qarta rrethanat, identiteti i efektivëve të përfshirë dhe ligjshmëria e veprimeve të kryera ndaj gazetares.
“Gazetarja u pengua të ushtrojë detyrën e saj të mbrojtur nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacioni në fuqi për të drejtën e informimit. Kërkojmë që ky rast të mos mbetet pa një sqarim institucional dhe, nëse konstatohen shkelje, të ketë përgjegjësi përkatëse. Siguria e gazetarëve dhe liria për të raportuar janë çështje që prekin jo vetëm një kolege apo një redaksi, por të drejtën e publikut për t’u informuar”, thuhet në reagim.
REAGIM
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës shpreh shqetësimin për incidentin e denoncuar nga gazetarja Albana Aliaj e Syri TV, gjatë ushtrimit të detyrës. Ajo deklaron se gjatë filmimit të operacionit të sotëm policor në zonën e Shkozetit nga Forcat Speciale të Policisë së Shtetit është penguar nga punonjës të policisë të ushtrojë detyrën për informimin e publikut, i është marrë telefoni, është kërcënuar me pranga dhe se pamjet e filmuara prej saj i janë fshirë nga telefoni.
Bëhet fjalë për një situatë serioze që prek drejtpërdrejt sigurinë e gazetarit dhe ushtrimin e lirë të profesionit.
UGSH, Dega Durrës kërkon nga strukturat përgjegjëse që rasti të verifikohet me transparencë dhe të bëhen të qarta rrethanat, identiteti i efektivëve të përfshirë dhe ligjshmëria e veprimeve të kryera ndaj gazetares.
Gazetarët që ndodhen në terren për të informuar publikun duhet të lejohen të ushtrojnë detyrën e tyre pa ushtruar presion, kërcënime apo ndërhyrje të pajustifikuara. Gazetarja ka qenë në rrugë, lagje të banuar dhe nuk ka cenuar asnjë perimeter sigurie. Po ashtu, çdo masë sigurie e ndërmarrë nga policia gjatë një operacioni duhet të jetë e bazuar në ligj dhe proporcionale me situatën.
Gazetarja u pengua të ushtrojë detyrën e saj të mbrojtur nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacioni në fuqi për të drejtën e informimit.
Kërkojmë që ky rast të mos mbetet pa një sqarim institucional dhe, nëse konstatohen shkelje, të ketë përgjegjësi përkatëse.
Siguria e gazetarëve dhe liria për të raportuar janë çështje që prekin jo vetëm një kolege apo një redaksi, por të drejtën e publikut për t’u informuar.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës





