Zhvillimi që ka marrë sektori i turizmit, sidomos ai elitar, që dokumentohet përmes ndërtimit të resorteve dhe hoteleve luksoze përgjatë vijës bregdetare, po reflektohet edhe në ndërgjegjësimin e komunitetit lokal për t’u bërë pjesë e këtij sektori.
Por pyetja që shtrohet është si ndodh kjo? Përgjigja duket se është e thjeshtë; duke u dhënë fëmijëve shkollimin e duhur që në vitet në vijim të bëhen pjesë e stafit të këtyre resorteve.
Tendenca vihet re në shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela” në Shkozet, ku vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i nxënësve që studiojnë Termohidraulikë dhe që vijnë kryesisht nga njësi administrative të Durrësit dhe Kavajës, që lidhen drejtpërdrejt me sektorin e turizmit bën të ditur për “DurrësLajm” drejtori Fatmir Mërkuri.
Edhe këtë vit shkollor, dëshira e adoleshentëve që ndjekin studimet në klasën e dhjetë ka qenë e orientuar drejt arsimit profesional, fakt që e dëshmon krijimi i 11 klasave të vitit të parë. Për nxënësit, frekuentimi i kësaj shkolle lidhet me preferencat personale për arsimimin dhe integrimin më të shpejtë në tregun e punës.
Risia për këtë vit të ri shkollor është hapja e kurseve të nivelit pas të mesëm në sigurinë kibernetike.
“Ky vit vjen me risi, sepse për herë të parë ne hapim nivelin e pestë për sigurinë kibernetike dhe tashmë shkolla jonë nuk është shkollë vetëm e arsimit të mesëm, por është një kampus i arsimit profesional, ku përfshihen niveli i mesëm dhe pas i mesëm. Aktualsiht ne kemi 3 kualifikime pas të mesme në Energji e rinovueshme, Diagnostikim dhe menaxhim në auto servis dhe Siguria kibernetike”,- thotë Mërkuri.
Regjistrimet në këtë shkollë të mesme profesionale vijojnë deri më 30 shtator.
M.B.





