Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka hedhur akuza ndaj qeverisë lidhur me sigurinë kombëtare dhe institucionet e rendit, pas goditjes që SPAK i bëri drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni dhe ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

I ftuar në News24, Noka tha se Vlora Hyseni është një zyrtare me të kaluar jo të pastër në Kosovë, ku u shkarkua nga Albin Kurti për nxjerrje të informacionit te Serbia.

“Siguria kombëtare këtu ka rënë. Ke policinë në duart e karteleve, shërbimin në duart e karteleve, ndërsa Ministrinë e Brendshme në duart e Ron Yeffet. Ky është një skandal i paimagjinueshëm. Nuk e di se çfarë duhet të ndodhë që një kryeministër të japë dorëheqjen. Këtu nuk ka më përgjegjësia është individuale. E kishim paralajmëruar Ramën që kur emëroi Ilir Prodën, që është emërtesë e karteleve. Vlora Hyseni ka një histori nga Kosova, atje është shkarkuar për vjedhje të informacioneve sekrete dhe rrjedhje të informacioneve sekrete te serbet. Shteti është kthyer nga shtet në narko shtet. Pushtetin nuk e kanë politika, por kartelet. Shqipëria është në ditën e saj më të zezë”, tha Noka.

Deputeti demokrat po ashtu ngriti dyshime mbi vizitën e Vlora Hysenit në Azerbajxhan: “Nuk dua të bëj profeci, Azerbajxhani është edhe një vend ku edhe mund të…ka një lidhje zonja atje dhe mund të rrëshqasë. Është një lidhje individuale e saj atje”.

Po ashtu Noka “zbërtheu” lidhjet e bandave kriminale me pushtetin, duke theksuar se Belinda Balluku kishte kërkuar vetëm kokën e Ergys Agasit.

“Ergys Agasi ka emëruar me propozim të Suel Çelës, Ilir Prodën. Suel Cela ka kërkuar Ilir Prodën drejtor policie, Agasi ka shkuar te kryeministri i ka kërkuar për çunat na duhet Ilir Proda dhe Proda është emëruar. Ditën që është arrestuar Ergys Agasi ka qenë në sarajet e Suel Çelës. Ilir Proda, Ergys Agasi, Uljan Shpataraku dhe Suel Çela. Ka pritur policia derisa ka dalë Ergys Agasi me Uljan Shpatarakun. Ilir Proda me Suel Çelën ka qenë në makinë tjetër. Belinda kishte dhënë urdhër vetëm për kokën e Gysit”.

Më tej Noka tha se “Edi Rama sot është peng dy herë, nga njëra anë peng i karteleve dhe krimit të organizuar, por është edhe peng i interesave mafioze të grupeve si Ron Yeffet”.