Më 27 shtator në Hungari do të zhvillohet ndeshja e Nations League mes Izraelit dhe Irlandës, dy skuadra që janë në një grup me Kosovën në këtë kompeticion. Por në ditët e fundit atmosfera në prag të kësaj ndeshjeje i tejkaloi kufijtë sportivë teksa pati një përplasje në distancë mes Federatës Izraelite dhe trajnerit të Irlandës, Heimir Hallgrimson. Ky i fundit javën e kaluar theksoi se kishte folur në mënyrë individuale me futbollistët e tij për ndeshjen me Izraelin dhe se askush prej tyre nuk ndihej komod në zhvillimin e ndeshjeve të tilla.

‘Nuk po luajmë me gjenocidin, po luajmë kundër gjenocidit. Po luajmë kundër Izraelit, jo me Izraelin-ishin fjalët e Hallgrimson duke iu referuar akuzave të bëra nga grupet për të drejtat e njeriut dhe shumë të tjerë, sipas të cilëve, lufta kundër grupit terrorist palestinez Hamas, ku janë vrarë me dhjetëra mijëra civilë është një gjenocid. Nga ana e tij Izraeli ka përsëritur vazhdimisht se veprimet në Gaza janë konform të drejtave ndërkombëtare në luftën kundër grupit terrorist që ka hyrë thellë në popullsinë civile.

Deklarata e trajnerit të Irlandës solli reagimin e Federatës Izraelite të Futbollit që iu kundërpërgjigj ashpër Hallgrimson.‘Kemi dhënë kontributin në botë dhe te njerëzimi në fusha të panumërta, duke fituar një numër impresionues çmimesh Nobel përgjatë rrugëtimit. Për fat të keq, nuk kemi gjetur ende një kurë për budallallëkun, injorancën dhe hipokrizinë e treguar nga trajneri i kombëtares irlandeze. Nuk po luajmë me injorancën, budallallëkun dhe hipokrizinë, po luajmë kundër trajnerit që i mishëron këto’-theksohet në komunikatën e Federatës Izraelite të futbollit.