Kryetari i PD-së Durrës, Adrian Gashi, ka reaguar përmes një postimi lidhur me punimet në shëtitoren “Taulantia”, duke kritikuar vonesat në përfundimin e rikonstruksionit.

Gashi shkruan se qytetarëve iu ishte premtuar që punimet do të përfundonin brenda muajit qershor, ndërsa tre muaj pas këtij afati, shëtitorja vijon të jetë në punime.

Sipas tij, punimet e papërfunduara dhe barriera kanë vijuar edhe gjatë sezonit turistik, duke ndikuar, sipas tij, edhe te bizneset përreth.

Postimi i plotë i Adrian Gashit:

Në pranverë, qytetarëve të Durrësit iu premtua se rikonstruksioni i shëtitores “Taulantia” do të përfundonte brenda muajit qershor.

Tre muaj pas afatit të premtuar, këto janë pamjet e shëtitores sot! Punime të papërfunduara, materiale ndërtimi, barriera dhe një prej hapësirave më të frekuentuara të qytetit që vazhdon të jetë kantier.

Kaloi edhe sezoni turistik, por qytetarët dhe turistët nuk e morën shëtitoren që iu premtua. Edhe bizneset përreth u përballën për muaj me një zonë në punime, me akses të vështirësuar pikërisht gjatë periudhës kur Durrësi kishte fluksin më të madh të vizitorëve, duke ndikuar drejtëpërdrejtë edhe në të ardhurat e tyre.

Kur do t’u dorëzohet realisht qytetarëve shëtitorja “Taulantia”?