Luiza Xhuvani dhe Alfred Trebicka u ngjitën mbrëmjen e së dielës në skenën e improvizuar të amfiteatrit të Durrësit për të sjellë për publikun shfaqjen “Si ne të dy” që bazohet në veprën “Lojë martese” të shkrimtarit amerikan Edward Albee.

Përmes dialogjeve të tensionuara, batutave me nota humori, por edhe grindjeve të forta që shkojnë deri në përplasje fizike, dy bashkëshortët duke folur për të tashmen por edhe të kaluarën në çift zbulojnë shumëçka mbi dashurinë, tradhtinë, zhgënjimin, bashkëjetesën 30-vjeçare dhe dilemën se çfarë është martesa për ta.

Në natën e katërt të “Dyrrachium International Theater Festival”, Violeta Trebicka erdhi në rolin e regjisores për të vënë në skenë atë pjesë, ku vite më parë luante rolin e protagonistes, që pas 30 vitesh martesë e gjen veten të përfshirë në një krizë familjare.

Drama “Si ne të dy” ishte performanca e katërt e trupave teatrore, që janë bërë pjesë e edicionit të parë të festivalit ndërkombëtar.

Për anëtarin e jurisë shkrimtarin dhe dramaturgun Bashkim Hoxha, ky festivali e ktheu Durrësin jo vetëm në një pikë takimi të artit teatror, por edhe në epiqendrën e debatit kritik për zhvillimin e teatrit në vendet ballkanike.

“Dyrrachium International Theater Festival” vijon të martën dhe të mërkurën me dy shfaqjet e radhës, në orën 20.00, në amfiteatrin e qytetit.

M.B.