Dalip Peza mjeshtri i heshtur që mbeti në kujtesën e lagjes

Nga BUJAR QESJA

Ka lajme, që nuk vijnë vetëm si fjalë. Të trokasin në zemër. Sapo mësova për ndarjen nga jeta të Dalip Pezës, që të gjithë ne e thërrisnim shkurt, me dashuri e familjaritet, Lipe. Ishte vetëm 70-të vjeç. Moshë kur njeriu ende ka shumë për të treguar, shumë kujtime për të ndarë, shumë mëngjese për t’i parë, nga dritarja e shtëpisë së vet.

Por jeta, nuk pyet gjithmonë për dëshirat tona. Në vend që të takohemi me Lipen në rrugën tonë, në lagjen tonë, apo pranë asaj shtëpie, ku ai qëndroi gjithë jetën, na duhet të flasim për të në kohën e shkuar. Është nga ato dhimbjet e vogla e të mëdha të Durrësit tonë.

Emër që vjen nga një familje me histori

Lipe Peza është djali i dytë i Rakip Pezës, veteranit të luftës, emër i njohur, që në kujtesën familjare e qytetare njihej edhe si Vath Peza. Rakipi dhe Hafsaja dhe familja e tyre, lanë gjurmë në jetën e Durrësit. Ishte një familje me katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë, Luçin.

.Para tij, familja kishte përjetuar edhe dhimbje të tjera. Vëllai Arben Peza, i cili shërbeu edhe si drejtor shkolle, u nda nga jeta disa vite më parë pas një sëmundjeje të rëndë. Edhe në familjen e vëllait të madh, Besnikut, jeta solli tjetër humbje. Bashkëshortja Zana, vajza e durrsakut të hershëm Hamit Çizmja, gjithashtu nuk jeton më. Por edhe motra e vetme Luçi Peza, është larguar nga jeta kohë më parë.

Duket sikur një nga një, emrat e një brezi po largohen nga kjo botë. Dhe ne, që i kemi njohur, mbetemi me kujtimet.

Lipja mësuesi i heshtur i elektronikës

Lipja nuk ishte njeri i zhurmës. Nuk kërkonte të binte në sy. Nuk kishte nevojë për fjalë të mëdha. Ishte nga ata njerëz, që i njihje më shumë nga puna, nga sjellja dhe nga gatishmëria, për t’u gjendur pranë tjetrit. Profesioni i tij ishte elektronika.

Në Kantierin Detar të Durrësit, ishte mjeshtër i kësaj fushe dhe merrej me mirëmbajtjen e aparaturave elektronike të anijeve. Ishte punë që kërkonte dije, përqendrim, durim dhe përgjegjësi.

Në atë botë të madhe të kantierit, ku metalet, anijet, motorët dhe makineritë ishin pjesë e përditshmërisë, elektronika kishte mjeshtrit e saj. Dhe Lipja ishte njëri prej tyre.

Në atë periudhë, përgjegjës i kësaj fushe ishte inxhinieri Remzi Hoxha, i njohur nga të gjithë si Ziçja. Lipja e njihte mirë punën. E bënte pa zhurmë, me atë qetësinë që e shoqëronte. Por mjeshtëria, nuk mbeti vetëm në kantier.

“Iliria”, televizori që na lidhte me botën

Kush e ka jetuar Durrësin e atyre viteve, e kujton mirë televizorin shqiptar të markës ” Iliria”. Televizori ishte dritare e vogël, drejt një bote më të madhe. Dhe kur prishej, duhej dikush që dinte ta hapte, ta dëgjonte, ta kontrollonte dhe ta kthente përsëri në jetë.

Lipja ishte ndër ata njerëz, që merreshin me këtë punë.
Në lagjen tonë, në Lagjen 4, në rrugën “Nail Kondi”, ishte njeriu që shumëkush e kërkonte, kur televizori kishte probleme.

Televizorët shqiptarë “Iliria”, ishin pjesë e shtëpive tona. Dhe Lipja dinte t’i rregullonte. Sa kujtime fshihen pas kësaj fjale të thjeshtë: “Ma shiko pak televizorin!” Një tel, një pjesë, një kontakt, një defekt i vogël elektronik dhe gjithë familja priste, që mjeshtri të gjente hallin.

Dalip Peza gjente zgjidhjen. Ndoshta tani, në kohën e telefonave të mençur, televizorëve që janë kompjuterë dhe teknologjisë që ndryshon çdo ditë, kjo duket si histori e largët. Por për ne nuk është. Është copëz e jetës sonë.

Është Durrësi i asaj kohe. Është lagjja jonë. Është rruga “Nail Kondi”. Është shtëpia e një familjeje, që nuk u largua prej saj.

Shtëpia ku mbeti një jetë

Nga gjërat që më ka mbetur në mendje për Lipen, është se nuk lëvizi nga shtëpia e prindërve. Aty ku kishte lindur, aty vazhdoi jetën. Kjo nuk është vetëm një adresë.

Për brezin tonë, shtëpia e prindërve ishte një lloj amaneti. Aty ishin muret që kishin parë fëmijërinë, prindërit, vëllezërit, motrën, gëzimet, hallet dhe ikjet.
Lipja mbeti aty.

Dhe tani që nuk është më, ajo shtëpi do të duket ndryshe. Ndoshta një dritare do të hapet, e do të mbyllet si më parë. Ndoshta dera, do të ketë të njëjtin zë. Por mungesa e njeriut, që i dha kuptim asaj shtëpie do të ndjehet. Shtëpitë, nuk janë vetëm tulla e mure. Janë njerëzit që jetojnë brenda tyre.

Një njeri i mirë, pa zhurmë

Dalipi ishte i urtë, i qetë dhe i gjindshëm. Këto tri fjalë mbase mjaftojnë, për të përshkruar një karakter. I urtë, sepse nuk e kërkonte konfliktin. I qetë, sepse kishte mënyrë të vetën për ta përballuar jetën. I gjindshëm. Kur dikush kishte nevojë për të, ishte aty.

Njerëz të tillë, nuk bëjnë shumë zhurmë gjatë jetës.
Por kur largohen, kupton se sa shumë hapësirë kishin zënë në jetën e përditshme. Mungesa e tyre, nuk vjen me bujë. Vjen ngadalë. Një karrige bosh. Një derë që nuk hapet. Një telefon që nuk bie më. Një fytyrë, që nuk e sheh më në rrugën e lagjes.

Parë kështu, kujtesa fillon të punojë. Të sjellë zërin. Të sjellë fytyrën. Të sjellë një bisedë të harruar. Të sjellë një dorë, që të është gjendur pranë.

Kështu do ta kujtoj Lipen. Jo si emër në një njoftim mortor. Por si atë djalin e mirë të lagjes sonë, atë mjeshtrin e elektronikës, atë njeriun që dinte të riparonte televizorin dhe pa e ditur, të riparonte edhe një copëz të vogël të gëzimit të familjeve.

Dhe lagjia e vjetër, humbi një tjetër kujtim

Durrësi po ndryshon. Ndryshojnë rrugët, ndërtesat, dyqanet, fytyrat.
Por më shumë se qyteti, ndryshon kujtesa e tij. Një nga një po largohen njerëzit, që e dinin Durrësin e vjetër jo nga librat, por nga jeta.

Ata që njihnin fqinjët. Ata që dinin historinë e çdo shtëpie. Ata që e dinin, kush kishte lindur në atë rrugë, kush ishte larguar, kush ishte kthyer, kush kishte ndërtuar një familje dhe kush kishte mbetur aty gjithë jetën. Dalipi ishte kështu.

Prandaj ikja e tij, nuk është vetëm dhimbje familjare.
Është edhe humbje për kujtesën e lagjes. Dhe kur ikin njerëzit e mirë, qyteti bëhet pak më i heshtur.

Dalip Peza është në kujtesën tonë. Në kujtesën e familjes. Në kujtesën e miqve. Në kujtesën e Lagjes 4. Në kujtesën e rrugës “Nail Kondi”, ku jetoi gjithë jetën.

Në kujtesën e atyre, që i çuan televizorët “Iliria” për t’i rregulluar. Në kujtesën e Kantierit Detar, ku punoi si mjeshtër i elektronikës. Dhe në kujtesën time, si një djalë i mirë, i urtë, i qetë dhe i gatshëm për të të ndihmuar.

Kjo është pasuria më e madhe, që mund të lërë një njeri pas vetes, të mos ketë nevojë për monument. Të mjaftojë kujtimi i njerëzve.

Lamtumirë, Lipe! Qofsh gjithnjë në paqen e përjetshme! Do të të kujtojmë ashtu siç ishe. Një njeri i respektuar, nga ata njerëz të thjeshtë, që nuk bëjnë zhurmë në jetë, por lënë boshllëk kur largohen.

Bujar Qesja
Durrës : 19 shtator 2026