Një investim i bashkisë Durrës për rrjetin e kanalizimeve në fshatin Rrushkull, në vlerën rreth 32.5 milionë lekë të reja, i cili pritej të ishte shpëtim për këta banorë është kthyer në një makth për ta.

Rruga kryesore është dëmtuar përgjatë gjithë gjatësisë së saj, ndërsa kanalizimet e hapura anash saj kanë mbetur të palidhura me rrjetin kryesor, sipas banorëve. Ndërkohë, rrugët e tjera të këtij fshati që ndodhet shumë pranë njërës prej zonave bregdetare më të bukura të Durrësit nuk kanë njohur asfalt asnjëherë.

Banorët i tremben stinës së shirave, pasi rruga bëhet e pakalueshme, ndërsa qarkullimi i mjeteve dhe banorëve të zonës vështirësohet së tepërmi.

Harresa institucionale është ajo që i prek më shumë banorët, pasi pavarësisht se janë pjesë e njësisë administrative Sukth, ata ndihen të braktisur.

Burime nga bashkia bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se në buxhetin e këtij viti është një zë i veçantë për shtrimin e rrugës kryesore të fshatit. Pritet që së shpejti të nisin procedurat e tenderimit për të vijuar më pas me shtrimin e kësaj rruge, që në gjendjen aktuale nuk përmbush as standartin më minimal të një infrastrukture rrugore funksionale.

M.B.