Një hetim për përfitim dhe regjistrim të dyshuar në mënyrë të kundërligjshme të pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit dhe Dërmënasit ka çuar në arrestimin e ish-drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, E.S., dhe shtetasit E.H., i dyshuar si përfitues i pronave.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, gjykata ka caktuar gjithashtu masën “Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore” për E.R., ish-hartograf pranë ASHK-së Fier.

Hetimet lidhen me procedimin penal të nisur më 5 nëntor 2025 për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Sipas hetimit, çështja lidhet me një vendim të vitit 2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, përmes të cilit ishte njohur e drejta e kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit.

Një prej trashëgimtarëve përfitues, shtetasi E.H., kishte përfituar në vitin 2018 kompensim financiar prej 53.8 milionë lekësh. Megjithatë, pavarësisht kompensimit, hetuesit dyshojnë se gjatë vitit 2023 ai ka ndjekur procedurat për regjistrimin e gjashtë pasurive në zonën kadastrale nr. 2436, me sipërfaqe totale rreth 71.7 hektarë.

Në kuadër të hetimeve janë evidentuar edhe veprimet e ish-drejtorit të ASHK Fier, E.S., dhe ish-hartografit E.R., në lidhje me trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e këtyre pasurive.

Pas regjistrimit, disa prej pronave dyshohet se janë shitur, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme. Prokuroria vijon verifikimet për transaksionet, gjurmimin e parave dhe përcaktimin e destinacionit të tyre.

Gjatë hetimit janë sekuestruar edhe 715.976 euro, të depozituara në llogarinë bankare të E.H., si dhe dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera që do t’i nënshtrohen verifikimeve.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të çështjes, identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive individuale penale.