I ftuar në emisionin Review me Greta Topjana, eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Avenir Peka, ka analizuar ecurinë e hetimit të krimeve të luftës në Kosovë, duke theksuar se ky proces ka kaluar në katër etapa gjyqësore nga UNMIK-u, EULEX-i e deri te Dhomat e Specializuara.

Ai shpjegoi gjithashtu se si zhvillimet politike dhe juridike ndërkombëtare çuan gradualisht në formimin e strukturës aktuale gjyqësore. Peka theksoi se zanafilla e Gjykatës Speciale lidhet me pretendimet e ish-kryeprokurores Carla Del Ponte dhe raportin e Dick Marty-t, të iniciuar pas trysnisë në Këshillin e Evropës.

Megjithëse sipas tij, hetimet e prokurorit amerikan Chris Williamson hodhën poshtë pretendimet për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, dhe se presioni i madh diplomatik nga BE-ja dhe SHBA-ja çuan në krijimin e gjykatës së katërt, Hagës, për hetimin e krimeve të tjera të supozuara.

 “Kjo gjykatë ka vazhduar, prokuroria dhe gjykata e UNMIK-ut kanë vazhduar deri në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë.

Në atë moment, dimensioni i Bashkimit Evropian në administrimin ndërkombëtar të Kosovës mori përsipër punën që la në mes gjykata dhe prokuroria ndërkombëtare e UNMIK-ut.

EULEX-i ka vazhduar hetimin e krimeve ashtu si dy gjykatat e mëparshme. Nga viti 2008 deri në 2018-ën vazhdon aktivitetin EULEX-i, por hetimin dhe gjykimin e çështjeve e ka mbyllur. Nga ai moment i hapet rruga gjykatës së re.  Gjykata e re, pra është gjykata e katërt, Gjykata Speciale e cila është është gjykata e katërt që merret me hetimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Tani, pse erdhëm te kjo gjykatë? Në vitin 2008, ish-kryeprokurorja në Hagë, në Gjykatën për ish-Jugosllavinë, shkruan një libër ku mes të tjerave ngre pretendime për ekzistencën e trafikut të organeve nga UÇK-ja dhe ekzistencën e të ashtuquajturës ‘Shtëpia e Verdhë’ në zonën e verilindjes së Shqipërisë.

Duke qenë se Rusia dhe Serbia kishin influencë të madhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dy deputetë të rëndësishëm, një rus dhe një serb, kërkuan miratimin e një rezolute që do kërkonte hetime të mëtejshme ndërkombëtare për trafikun e organeve. Këshilli i Evropës e miratoi atë rezolutë dhe ngarkoi një ish-prokuror zviceran, Dick Marty, për të bërë një raport mbi gjetjet pas hetimeve.

Në vitin 2010, Dick Marty dorëzon raportin e tij, një raport fals që mbështet pretendimet e Carla Del Ponte-s për ekzistencën e trafikimit të organeve, të ‘Shtëpisë së Verdhë’ dhe krimeve të tjera. Në atë moment, Bashkimi Evropian ngre një njësi hetimore të drejtuar nga një prokuror amerikan, Chris Williamson, i cili njihte mirë Kosovën sepse kishte qenë drejtor i Departamentit të Drejtësisë atje.  

Kanë përdorur teknologjinë më të avancuar për të bërë analizat e ADN-së, jo vetëm në muret e shtëpisë, por edhe në oborr, madje kanë marrë edhe kocka kafshësh dhe nuk doli asgjë.

Në vitin 2014, ai prodhoi raportin e vet ku hidhte poshtë pretendimet për trafikun e organeve dhe ekzistencën e ‘Shtëpisë së Verdhë’. Në këtë moment mbyllet cikli i pretendimeve të Carla Del Ponte-s dhe Dick Marty-t.

Bashkimi Evropian nuk u mjaftua me kaq, por duke qenë se në raport thuhej se rezulton të jenë kryer krime të tjera, kërkon që të avancohet më tej dhe të ngrihet një gjykatë e veçantë kosovare që të hetonte këto krime. Presioni ndaj autoriteteve të Kosovës ishte i jashtëzakonshëm, presioni amerikan ishte shumë i madh, presioni i BE-së po ashtu. Ndikim të madh kishte sigurisht Serbia dhe shtetet që janë më afër kauzës së Serbisë në rajon”, u shpreh ai.