Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka pësuar një frakturë në këmbë gjatë orarit të ajrimit në institucionin e paraburgimit në Durrës, teksa po luante futboll. Ngjarja ka ndodhur rreth dhjetë ditë më parë, por kërkesa për ndihmë mjekësore të specializuar është bërë vetëm sot për shkak të komplikacioneve dhe enjtjes së këmbës.

Veliaj u transportua me urgjencë drejt një spitali privat në Tiranë, ku i është nënshtruar ekzaminimeve radiologjike dhe vendosjes së këmbës në allçi. Pas marrjes së mjekimit dhe trajtimit ortopedik, ai është rikthyer përsëri në ambientet e paraburgimit.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në izolim që prej muajit shkurt të vitit 2025. Më 15 shtator, Gjykata e Lartë vendosi të mbajë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, vendim ky që ekipi mbrojtës i Veliajt e ka konsideruar të papranueshëm, duke paralajmëruar ankimim në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.