Gjyqtarët dhe prokurorët paralajmërojnë se do t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese pas miratimit në Kuvend të ligjit që përcakton formulën e re të pagave për magjistratët.
Katër shoqatat deklarojnë se procedura e ndjekur është shoqëruar me shkelje të kërkesave kushtetuese, duke nisur nga miratimi i projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave dhe mungesa e një konsultimi efektiv me grupet e interesit.
Gjyqtarët dhe prokurorët e konsiderojnë gjithashtu formal procesin e dëgjimit të përfaqësuesve të tyre dhe kundërshtojnë hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit të miratuar në orët e mesnatës.
Në qëndrimin e tyre, magjistratët bëjnë të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes.
“Me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, deklarojnë katër shoqatat.
Magjistratët argumentojnë se përmes këtij ligji nuk cenohet vetëm statusi i tyre financiar, por ngrihen edhe çështje që lidhen me respektimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe me garantimin e shtetit të së drejtës.
QËNDRIM I PËRBASHKËT
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Forumi i Grave Gjyqtare të Shqipërisë shprehin vendosmërinë e tyre për të vijuar ndjekjen e procesit kushtetues lidhur me pagat e magjistratëve.
Me keqardhje kemi ndjekur procedurën parlamentare për miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Që në fillim, kjo procedurë është karakterizuar, në vlerësimin tonë, nga shkelje të kërkesave kushtetuese, duke nisur nga miratimi i projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, mungesa e konsultimit efektiv dhe dëgjimi tërësisht formal i grupeve të interesit dhe, në fund, hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit.
Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës.
Në këtë kuadër, informojmë opinionin publik se, me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi.
Kjo kërkesë bëhet e domosdoshme pasi, përmes këtij ligji, cenohet jo vetëm statusi financiar i magjistratëve, i cili është i lidhur ngushtësisht me garantimin e pavarësisë së tyre, por edhe vetë themelet e shtetit të së drejtës, për shkak të mosrespektimit të hapur të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Shoqatat tona shprehin bindjen e plotë në integritetin e procesit kushtetues dhe besimin se Gjykata Kushtetuese do të rivendosë standardet kushtetuese të cenuara. Kemi besimin e plotë se do të jetë pikërisht procesi kushtetues ai që do të sqarojë çështjet e ngritura dhe do të hedhë poshtë përpjekjet për të diskredituar magjistratët dhe kërkesat e tyre legjitime.
Theksojmë edhe një herë se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare, siç është tentuar, në mënyrë të shtrembëruar, t’i paraqitet opinionit publik gjatë gjithë këtij procesi. Ajo lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit të së drejtës.
Për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe vlerave kushtetuese, shoqatat tona mbeten të palëkundura dhe do të përdorin çdo mjet ligjor që Kushtetuta dhe ligji u vënë në dispozicion.
VOTIMI NË KUVEND
Parlamenti miratoi pas mesnate me 84 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë. I pranishëm në seancë ishte edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa mungoi kreu i demokratëve, Sali Berisha.
Projektligji u kundërshtua nga institucionet e drejtësisë dhe opozita, të cilat theksuan se nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Opozita e cilësoi si një puç kushtetues, ndërsa në nisje të seancës plenare ditën e djeshme, kërkoi që të hiqej edhe nga rendi i ditës dhe të mos votohej.
Formula e miratuar me votat e socialistëve nuk përmbush kërkesën e magjistratëve për një rritje prej rreth 80 mijë lekësh, që u miratua nga KLGJ dhe KLP. Qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve.
Kujtojmë që ngërçi për pagat në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Parlamenti nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin.
Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.






