Tre persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë në një shkollë të mesme në Banga, në provincën Cotabato të Jugut, në Filipinet jugore. Ngjarja ndodhi të premten pasdite në Shkollën e Mesme Kombëtare Banga.

Sipas kryebashkiakut të Bangës, Albert Palencia, dy prej viktimave ishin nxënës 14-vjeçarë, ndërsa personi i dyshuar për të shtënat ishte 16 vjeç dhe ndodhet gjithashtu mes të vdekurve. Ndërkohë, katër prej të plagosurve janë në gjendje kritike.

Sipas kryebashkiakut, 16-vjeçari kishte paralajmëruar disa miq gjatë drekës se pas pushimit do të zbatonte një plan, por ata nuk e kishin marrë seriozisht, pasi e njihnin si një person që bënte shpesh shaka. Pas drekës, ai hapi zjarr ndaj nxënësve.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se më pas 16-vjeçari i dha fund jetës. Pas incidentit, mësimi është pezulluar në të gjitha nivelet në komunën e Bangës. Kryqi i Kuq i Filipineve njoftoi se u vu në dijeni për ngjarjen rreth orës 14:00 dhe dërgoi një ambulancë me katër ndihmës mjekësorë në vendngjarje.

Sakaq policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivin e të shtënave. Ky është rasti i tretë me të shtëna vdekjeprurëse në një shkollë në Filipine që nga qershori. Në qershor, tre nxënës u vranë në një shkollë në Filipinet qendrore, ndërsa në gusht një nxënës qëlloi për vdekje një bashkëmoshatar.