Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit është një aktivitet i përdyvitshëm në lëmin e artit pamor dhe ky vit shënon edicionin e 2-të të tij.
Dita e parë e muajit të ardhshëm, 1 tetori, do ta risjellë këtë event në qytetin bregdetar duke e kthyer Durrësin në një pikëtakim të dhjetëra artistëve shqiptarë dhe nga shumë vende të Evropës dhe botës. Hapja e eventit do të bëhet në një vend, që ka një simbolikë dhe domethënie të veçantë për qytetin e Durrësit, në vilën mbretërore të mbretit Zog.
Në edicionin e dytë, bienalja ka si qëllim shpërfaqjen dhe spikatjen e vlerave artistike të së tashmes tonë nëpërmjet qasjes konceptuale dhe filozofike të artistëve bashkëkohor mbi temën: “Periferia: Tranzicione pamore”.
“Periferia është e barasvlershme me perimetrin, me kufizimin e një territori, apo peizazhin brenda secilit ndërvepron një grup shoqëror. Periferia përfaqëson folklorin urban par excellence, një vend piktoresk dhe kontradiktor njëherazi: i pafajshëm dhe i dhunshëm, poetik, por në të njëjtën kohë degradues. Një hapësirë që mbart brenda vetes të vërtetën e jetës njerëzore, aty ku koha dhe gjithçka tjetër herë-herë mbeten pezull.”,- thotë për “DurrësLajm” drejtori artistik i bienales Oltsen Gripshi, në një prononcim të shkurtër që mund ta ndiqni në videon në fund të shkrimit.
Në këtë edicion të dytë janë 34 pavione kombëtare pjesëmarrëse, të cilët do të ekspozohen në 14 institucione publike, sheshe dhe monumente të trashëgimisë kulturore të qytetit të Durrësit, duke u dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve, turistëve, artdashësve dhe vizitorëve të shohin sa më shumë nga veprat e kësaj bienaleje, ku marrin pjesë 45 artistë bashkëkohorë nga Afrika e Jugut, Argjentina, Brazili, Bullgaria, Finlanda, Gjermania, Italia, Japonia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zelanda e Re etj.
M.B.





