Policia Bashkiake e Durrësit ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike nga barrierat e vendosura për të zënë vende parkimi.
Gjatë ditëve të fundit, ndërhyrjet janë shtrirë në disa zona të qytetit, nga segmenti Currila–Veliera dhe kuartallat e lagjes nr. 1, deri në lagjet 5, 6, 7, 8, 10, 12, 15, 16 dhe 18.
Sipas Policisë Bashkiake, janë larguar pengesa të ndryshme të vendosura nga qytetarë apo subjekte, përfshirë kupola betoni, struktura metalike, bidona, zinxhirë, goma, karrige dhe mjete të tjera të përdorura për rezervimin e hapësirave të parkimit.
Policia Bashkiake u ka bërë thirrje qytetarëve dhe subjekteve që t’i largojnë vullnetarisht këto pengesa, duke paralajmëruar se në të kundërt mund të merren masa administrative apo të nisin procedime penale.
Aksioni pritet të vijojë edhe në lagje të tjera të Durrësit, me synimin për rikthimin e hapësirave publike në përdorim të përbashkët.





