Dy persona janë arrestuar nga policia e Durrësit për vendosjen e një lënde plasëse ndaj një automjeti në qendër të Durrësit, pak ditë më parë.

Sipas policisë, bëhet fjalë për shtetasit Sherif Çela dhe Muharrem Thartori.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjali”.

Zbardhet autorësia e vendosjes së një sasie lënde plasëse të lidhur me një aparat telefonik celular.

Arrestohen dy persona të dyshuar si autorë.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasve S. Ç., 47 vjeç, dhe M. T., 46 vjeç, të dy banues në Durrës, të dyshuar si autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 28.08.2026, në lagjen nr. 3, Durrës.

Më datë 28.08.2026, në lagjen nr. 3, Durrës, u konstatua një aparat telefonik celular i lidhur me një sasi lënde plasëse.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 aparate telefonikë celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim.