Pavarësisht nismës së marrë nga ana e qeverisë për largimin e qeseve plastike nga përdorimi, qytetarët në Durrës vijojnë t’i përdorin këto të fundit me po të njëjtat ritme.

Në tregun e përditshëm të fruta perimeve në Durrës, çdo qytetar merr për çdo blerje një qese plastmasi, duke bërë që deri në fund të ditës minimalisht çdo familje të ketë futur në shtëpi 5 deri në 10 qese të tilla.

Qytetarët e Durrësit e kanë mirëpritur vendimin e heqjes nga qarkullimi të qeseve plastike dhe zëvendësimin e tyre me çanta prej cope, të njohura ndryshe si trasta, por nga një vëzhgim i bërë nga DurrësLajm në treg janë të paktë ata që kanë marrë trasta nga shtëpia duke mos përdorur më qeset plastike.

Në Durrës, por edhe në qytete të tjera të vendit, funksionojnë disa fabrika të prodhimit të plastmasit dhe të qeseve të plastikës. Qeveria nuk dihet sa e “fortë” do të jetë përballë industrialistëve të plastikës, të cilët pritet të bëjnë gjithçka për të pezulluar vendimin e mos përdorimit të qeseve në Shqipëri.

K.H.