Ilia Ilia, avokati penalist nga Durrësi, ka shpjeguar në një intervistë për DurrësLajm se si klienti i tij, Durim Keçi, i konsideruar i forti i Shijakut përfitoi lirinë.

“Klienti im bëri njohje të vendimit të marrë nga drejtësia italiane. Në njohjen e vendimit nga gjykata e Durrësit rezultoi se Keçi e kishte kryer dënimin për të cilin u akuzua dhe u dënua nga drejtësia italiane”.

Ilia Ilia thekson se klienti i tij ishte një prej 140 personave të arrestuar brenda një nate nga drejtësia italiane në kuadër të procesit “Kanun”.

“Të gjithë të arrestuarit e të dënuarit e drejtësisë italiane nuk kanë patur gjykim të drejtë”,- tha avokati mbrojtës.

Ilia Ilia tregon edhe si u përllogarit dënimi për klientin e tij që fitoi lirinë rreth tre javë më parë.

Pala italiane është tërhequr nga ekstradimi i personave të shpallur në kërkim nga Interpoli, duke lënë në fuqi njohjen e vendimit nga gjykata shqiptare.

Në tre muajt e fundit të 2017, në Durrës u arrestuan 9 persona për llogari të drejtësisë italiane. Asnjë prej tyre nuk është ekstraduar deri tani në Itali, pasi pala italiane nuk dëshiron që të dënuarit shqiptarë të vuajnë dënimin atje, por mjaftohet me njohjen e dënimit nga gjykata shqiptare.

Avokati mbrojtës Ilia Ilia i ka kujtuar gjykatës operacionin e policisë italiane të quajtur “Kanun” në zonën e Bergamos në Itali, ku brenda një nate u arrestuan rreth 140 banorë të Shijakut, që sipas tij u montua një gjyq manipulues dhe diskriminues ndaj shqiptarëve aso kohe. Avokati i kërkoi gjykatëses të lërë të lirë klientët që sipas tij nuk paraqesin asnjë rrezikshmëri.

K.H.